Paraja nuk ka atdhe, Premier Liga angleze të luhet në … Kinë!

Në Shqipëri e kanë si batutë shprehjen “t’i biesh nga Kina”. Në Angli, nuk janë aspak duke qeshur, ndërsa po diskutojnë për t’i rënë nga Kina që të përfundojnë Premier Ligën. Kjo është ideja e fundit e drejtuesve të kampionatit më të vjetër (dhe më krenar) të botës, që nuk do ta kishin problem të shkonin në “emigracion” vetëm e vetëm që të mbyllnin sezonin. Tabloidët ia kanë vënë “bat-bat” me tituj të tillë si “A jeni seriozë?” apo “kjo është çmenduri”, por në të vërtetë këtu nuk ka asgjë të habitshme.

Premier Ligë sot nuk do të thotë patjetër një ndeshje në “Anfild” apo “Old Traford”, sado të shenjtë të jenë këta tempuj futbolli. Premier Liga sot është një biznes prej miliarda eurosh, shumica e të cilave vijnë nga paratë që qindra milionë njerëz, në të gjithë globin, i paguajnë televizioneve me pagesë për të ndjekur ndeshjet e saj. Përderisa kompanitë më të mëdha industriale të botës zhvendosën në Kinë një pjesë të madhe të linjave të prodhimit, përse të mos e bëjë një tjetër kompani biznesi, si Premier Liga? Fitimi nuk do t’ia dijë për distancën, që është rreth 8 000 km, dhe paraja nuk ka atdhe.

Sfidanti.al