Virusi si bombat e Luftës II Botërore, Uimbëlldoni në 1940 e 2020!

Goditja këtë vit erdhi më shpejt se atëherë. Organizatorët e Grand Slemit më të madh dhe më të vjetër të tenisit botëror e vendosën pasditen e 1 prillit që Uimbëlldoni nuk do të zhvillohet këtë vit. Nuk ishte një gënjeshtër, edhe pse u njoftua në Ditën e Gënjeshtrave, për më tepër ishte një vendim i pritshëm. Epidemia e koronavirusit zhduku një nga perlat e sportit britanik dhe atij planetar, thjesht një sasi e madhe e viruseve nanoskopikë që mund të shihen vetëm me mikroskopin elektronik.

Është hera e parë që nga koha e luftërave botërore që ndodh një gjë e tillë, pra që nga periudhat 1915-1918, e 1940-1945. Një krahasim të dy epokave mund ta bësh nëse do të shikosh një nga fotot e vitit 1940, kur aviacioni gjerman nisi bombardimin e Londrës dhe të gjithë Britanisë së Madhe. Ishte pasditja e 16 gushtit, saktësisht ora 17:20 sipas Grinuiçit, ku bombat e Luftvafes ranë mbi rrugët e lagjes së Uimbëlldonit, dhe mbi kompleksin e tenisit, “Oll England’s Klab” (All England’s Club), siç shihet në një nga fotot. Në atë kohë dëmet ishin të mëdha, pasi u shkatërrua mbulesa e fushës kryesore si dhe 1 200 vende të ulura, ndërsa këtë herë dëm nuk pati, por frika është që virusi mund të shkaktojë viktima të shumta.

Sfidanti.al