Futbollistët anglezë, gati grevën për të mos “u shtrydhur” si limona!

Presidentët e klubeve dhe të ligave profesioniste po luten që virusi të largohet sa më shpejt dhe që po ashtu të rifillojnë kampionatet. Ata kanë gati plane për të zhvilluar me çdo kusht sezonin, edhe nëse do të duhet të luhet në qershor e në korrik, gjithnjë në akord me UEFA-n, por duket se “i kanë bërë hesapet pa hanxhinë”. Që do të thotë se po i bëjnë llogaritë pa “të zotët e punës”, pa futbollistët.

Mediat britanike njoftojnë se ka një protestë gjithnjë e më të madhe mes lojtarëve profesionistë në Angli, të cilët shqetësohen nga mbingarkesa që duhet të kenë nëse zbatohen këto plane. “Deili Meili”, që i referohet tabloiditi tjetër “San” (The Sun), raporton se yjet e Premier Ligës po komunikojnë me njëri-tjetrin dhe se janë gati për të nisur një grevë, për të prishur planet e drejtuesve. Ata po kontaktojnë edhe me Shoqatën e Futbollisëve Profesionistë për t’u këshilluar e për t’u koordinuar. Lojtarët mendojnë se në një situatë të tillë, ata do të duhet të luajnë 14 muaj radhazi pa pushim, madje edhe me ngarkesë tepër të madhe, duke nisur me sezonin në vazhdim, sezonin e ardhshëm dhe Kampionatin Europian.

Sfidanti.al