Eleminimi nga Championsi vështirë t’ia ketë ulur ndopak “aksionet” në bursën e futbollit. Jurgen Klopi mbetet po ai, një trajner i shkëlqyer, ndoshta që ka hyrë pak vonë në botën e fituesve, por që ka vendin e tij të merituar, përveçse është shumë tërheqës me sinqeritetin dhe shpërthimet e tij emocionale. Gjermani 52-vjeçar flet hapur për veten, për raportin me lojtarët dhe për rëndësinë e futbollit.
“Vërtet unë jam ai që vendos, – u shpreh trajneri i Liverpulit, – unë them se kush luan, se si stërvitemi, kur stërvitemi, unë vendos për të gjitha këto gjëra, por unë përpiqem të jem miku i lojtarëve, shoku i tyre. Unë mund të jem i tillë, dhe gjithnjë e kam shpjeguar këtë gjë në këtë mënyrë. Unë jam shok i lojtarëve, nuk jam shoku më i mirë, por përpiqem t’i kuptoj. Unë nuk pretendoj të interesohem për lojtarët, unë interesohem për ta”. Klopi thotë se lojtarët e njohin shumë mirë trajnerin e tyre, dhe familjen e tij, pasi “ka shumë rëndësi të dish me kë punon”.
“A ke ardhur në këtë ekip për të fituar para, gjë që nuk është e keqe? – tha trajneri i Liverpulit, – apo jeni këtu që të bëni familjen krenare, të bëni atdheun tuaj krenar? Ka gjëra të ndryshme, dhe mendoj se ne duhet t’i dimë këto”. Trajneri, me gjasë, vlerëson më shumë lojtarët që luajnë për të bërë krenar ekipin, familjen dhe atdheun. Liverpuli rrezikon titullin për shkak të koronavirusit, por Klopi flet me fjalët e këngës së Bitëllsave “Let it bi” (Let it be). “Flasim për futboll, është një lojë, le të mos e marrim aq seriozisht, por të kënaqemi me aq sa kemi mundësi”, – përfundon trajneri i Liverpulit.
Sfidanti.al