Gati gjyqet në Angli, transmetuesit TV duan dëmshpërblim nga klubet!

Në fund fare i bie që të gjobisin koronavirusin (që, nëse do të kishte mundësi, do të qeshte me ta). Transmetuesit televizivë që kanë blerë të drejtën e Premier Ligës po mendojnë të padisin klubet e elitës angleze për humbjet financiare, për shkak të ndalimit të kampionatit. Ndalimi deri në 4 prill (për momentin) u bë për të mbrojtur jetën e publikut dhe të pjesëtarëve të klubeve nga koronavirusi, por platformat televizive, siç duket, nuk dashkan t’ia dinë për asgjë, por tundin letrat e kontratave dhe duan paratë.

Mediat britanike shkruajnë se dëmshpërblimi i kërkuar mund të jetë 750 milionë paundë stërlina, diçka që edhe klubet do ta kundërshtojnë në gjyqe. Me gjasë, kërkesa e televizioneve do të hidhet poshtë si qesharake, ndërsa do të ketë bisedime për të arritur një kompromis, e për të ndarë humbjet financiare mes palëve. Raste të tillë sëmundjesh, kur flitet për rrezikim të jetës së njerëzve, besohet se do të sjellin edhe ndryshime të rëndësishme në mënyrën sesi funksionojnë gjërat në shoqërinë njerëzore, të verbuar në radhë të parë nga fitimi.

Sfidanti.al