Kur u mor vesh skandali i tij dhe erdhi largimi nga detyra e trajnerit të Anglisë, Sem Allërdajs, u mendua se do të shkonte një jetë me turp, të paktën në aspektin sportiv. Qenkemi gabuar! Interesi në këtë botë është ende shumë i rëndësishëm, ndonëse ka raste që tregojnë të kundërtën. Nuk është rasti i Allërdajsit që tashmë është zgjedhur si trajner nga klubi i Premier Ligës, Kristal Palas. Ishte krejt normale që Palas të largonte Alan Pardjunë, me të cilin kishte fituar vetëm 6 nga 36 ndeshjet e kampionatit në vitin 2016 (edhe pse kishte arritur finalen e Kupës), por vërtet paskan “vdekur” të gjithë trajnerët e tjerë? Allërdajs u zbulua se mashtronte punëdhënësin e vet, Federatën Angleze të Futbollit, që i dha një nga detyrat më të lavdishme në botë në këtë sport, dhe një rrogë tepër të lartë. Ai mësonte të tjerët sesi t’ia hidhnin Federatës. Gjithsesi, Allërdajs dhe Palasi “do ta hanë turpin me bukë”. Në fund të fundit, a nuk ka ndodhur kështu me shumë të ashtuquajtur “yje” të futbollit, që fitojnë deri dhjetëra milionë euro në vit, dhe nuk paguajnë taksat? Për momentin, në futboll nuk kthehesh vetëm po të jesh pedofil!
Sfidanti.al