Argjentina në kaos me virusin, River Plejti refuzon të dalë në fushë!

As në Amerikën Latine nuk ka qetësi. Federata Argjentinase e Futbollit dhe Liga Profesioniste vendosën që ta vazhdonin normalisht sezonin e kampionatit, veçse pa tifozë, por edhe atje mund të ndodhë më e keqja. Pavarësisht vendimit të organizatorëve, njëri nga klubet më të rëndësishëm në vend, River Plejti, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të dalë në fushë. Sipas Riverit, ndeshja e radhës ndaj Atletikos së Tukumanit nuk do të mund të zhvillohet, ndërsa bardhekuqtë vendosën të mbyllin plotësisht qendrën sportive.

Shqetësimi I klubit rekordmen të titujve në Argjentinë ka të bëjë pikërisht me koronavirusin dhe me mundësinë e përhapjes së tij, edhe pse ndeshjet parashikohet të luhen pa spektatorë. Mediat argjentinase raportojnë se situata në vendin latinoamerikan është duke u rënduar, pasi pati sërish të vdekur dhe raste të reja të infektimit, ndonëse vazhdon mësimi nëpër shkolla.

Po ashtu, njoftohet se klubi Milionarios ka disa raste të dyshuar si të sëmurë me koronavirus në ekipet e moshave, dhe gjithashtu njofton se do të refuzojë të marrë pjesë nëpër aktivitetet e çdo kategorie. Federata kërcënon se do të marrë masa ndëshkimore ndaj klubeve që veprojnë në mënyrë të njëanshme.

Sfidanti.al