Padyshim që ka një skuadër me alternativa të rëndësishme, siç e tregoi edhe në “El Klasiko”, apo siç u pa edhe në Superkupën e Spanjës. Reali shkon të luajë në fushën e Betisit, sonte në orën 21:00 me presion të lartë për t’u rikthyer në krye të La Ligës, si dhe me mungesa, ndonëse trajneri Zidan mbetet me besim. Gjashtë lojtarë nuk do të jenë në stadiumin “Benito Vijamarin”, dhe bëhet fjalë për Iskon e dëmtuar, Naçon e Karvahalin që janë me grip, të dëmtuarit më të hershëm Hazar e Asensio, ndërsa Joviç u la jashtë liste nga Zidani, ashtu si edhe Brahimi. Për sulmin, më shumë besim për momentin jep Mariano Dias, që shënoi edhe gol ndaj Barcelonës. Gjithsesi, besimi nuk mungon, ndonëse veteranët si Ramos, Benzema apo Modriç u thonë më të rinjve se nuk është fituar ende asgjë, dhe se nuk mund të gabohet pikërisht tani pas fitores në “El Klasiko”. Padyshim, tek Reali është edhe pesha psikologjike e humbjes në Champions ndaj Sitit, madje brenda në “Santiago Bernabeu”.
Sfidanti.al