Dominimi në garat shtëpiake vazhdon edhe pse Premier Liga “shkoi e vate” (siç thuhet nga shqiptarët e Jugut). Mançester Siti fitoi Kupën e Ligës në Angli, të tretën radhazi, duke mundur 2-1 Aston Vilën në finalen e “Uemblit”. Shumëkush mendonte me frikë se skuadra e Guardiolës do at shtypte me këmbë ekipin nga Birmingami, një emër i lavdishëm i futbollit anglez, por disi “i rënë nga vakti”. Për fatin e asnjanësve (dhe të tifozëve “vilans”), kjo nuk ndodhi, madje Siti u mbajt me thonj në minutat e fundit që të mos i ndodhte ndonjë e papritur. Duket se fitorja e madhe në “Bernabeu” ndaj Realit në Champions, ka marrë shumë energji fizike dhe mendore.
Sergio Aguero shënoi në minutën e 20-të dhe Rodri Hernandez dyfishoi shifrat në të 30-ën për “qytetarët”, të cilët nuk mundën ta vazhdonin gjatë “ofensivën” e tyre. Pranë fundit të pjesës së parë (41’), Mbuana Samata shkurtoi shifrat për Aston Vilën, e cila luftoi me krenari deri në fund. Ishin minuta më të mira për Sitin, por këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Në 87’, Vila mund të kishte barazuar kur Bjorn Engels goditi topin drejt e në shtyllë që nga goditja e këndit, ndërsa epërsia e të besuarve të Guardiolës në zotërimin e topit nuk u “përkthye” në gola. Mançester Siti është tani një skuadër tradite në Angli, pasi ka 6 tituj kampion, 6 Kupa të Anglisë, 7 Kupa të Ligës dhe 6 Superkupa. Po ashtu, në 1970, ka fituar edhe Kupën e Kupave të Europës. Gjithsesi, 26 trofe, aspak gjë e vogël.
Sfidanti.al