Liverpuli i jep Van Dajkut kontratë afatgjatë 60 milionë euro!

Është afërsisht kaq, me saktësi janë 50 milionë paundë stërlina për një periudhë disa vjeçare. Liverpuli do ta bëjë Virgil Van Dajkun, mbrojtësin më të paguar në botë me kontratën e re të propozuar. Holandezi ka qenë i shkëlqyer që kur ka mbërritur 2 vjet më parë, dhe Jurgen Klopi dëshiron ta shpërblejë për rolin e tij, ashtu siç ka bërë me 11 futbollistë të tjerë, përfshi Mohamed Salahun e Sadio Manenë. Rroga e Van Dajkut, sipas mediave britanike, do të shkojë nga 120 000 në 150 000 paundë stërlina në javë, sipas mënyrës sesi i masin pagat anglezët.

Kjo do të thotë se rroga vjetore e mbrojtësit të qendrës mund të jetë rreth 8 milionë paundë stërlina në vit, dhe kontrata me gjasë do të jetë 6-vjeçare. Klopi e ka më të lehtë të rrisë rrogat pasi të ardhurat e Liverpulit tani janë shumë më të mëdha sesa në të kaluarën, pas sukseseve në fushë. Të kuqtë janë kampionë të Europës në fuqi dhe janë pranë titullit të parë kampion në Angli në 30 vjet.

Sfidanti.al