Tirana s’ka frikë shkuljen e stolave, por zemërimin e “djajve”…

Çfarë tersi për Tiranën! Ndërsa klubi dhe futbollistët po jetojnë ditët e bindjes së madhe ndaj atyre  që komandojnë fatet  e kurorëzimit, tifozët dalin  kundër rrjedhës…shkulin stolat e stadiumit, duke dëshmuar se lumturia nuk matet me pikë dhe me “flirte”. Tirana është dënuar me 5 milionë lekë dhe me 4 ndeshje pa tifozë, për shkak të shkuljes masive të stolave ne ndeshjen me Kukësin. Aq sa thonë, sidomos pas kësaj gjëme se stadiumi “Air Albania” nuk është më në fronin e bukurisë në Ballkan. Madje, siç duken bathët, nuk mund të vihet më dora në zjarr për vërtetësinë e sloganit “tifozët janë lojtari i 12-të”. Tani,  nuk mund të thuhet me zë të lartë  apo  me bujën e propagandës, por lojtari i 12-të është një rebel i pandreqshëm, një armatë e pakomandueshme, madje  qënka e kotë edhe  kur injekton sistematikisht virusin “Tirona-kampion”.

Thonë se Tirana e do kaq shumë titullin këtë sezon, është  kaq e fiksuar,  sa do të ishte gati të pranonte edhe kamzhikë të tjerë financiarë në kurrizin e saj të lodhur, vetëm e vetëm që fundi ta gjente me kupë në dorë! Por, në një rulet-  kampionat, ku pabesia e lojtarëve të zyrave është shumë më e madhe se lojtarëve me “mëditje” që luajnë në fushë, bardheblutë i ka kapluar  frika nga zemërimi i “djajve”.  Kuptohet, nuk ka frikë nga ajo që ndodhi, nga stolat që u shkulën dhe vlera e tyre simbolike,  frika më e madhe është se si do të vazhdohet për të arritur tek  ..portat e parajsës. Dhe më e bukura është se këtë sezon gjërat po shkonin për bukuri, aq sa duket sikur  tifozët më shumë po prishin punë sesa po ndreqnin. Parandjenja paska qënë fatale:  tifozët po hedhin në erë planin e madh! Tani, me 4 ndeshje pa tifozë, ku në paketën e dënimit përfshihet edhe Derbi, do të bindemi se sistemi që ka frenat në dorë punon më mirë, sikur rrëshket në vaj,  kur tifozët janë të dënuar…

Sfidanti.al