Pak ditë më parë, Jurgen Klopin e quajti si trajnerin më të mirë në botë, ndërsa tani u pyet sërish për të, dhe dha një përgjigje shumë pozitive. Timo Verner duket se e ka marrë rrugën drejt “Anfildit” në verë, ndërsa vazhdon të shënojë gola pa fund për Lajpcigun. Fitorja e madhe 5-0 në fushën e Shalkes për Bundesligën ishte një tjetër tregues për forcën e madhe të skuadrës gjermane dhe të sulmuesit të saj po gjerman, i cili e sheh vetëm shumë të përshtatshëm për stilin e lojës së Liverpulit.
“Klopi është trajneri më i mirë në botë dhe ka shumë gjëra që më bëjnë të mendoj se loja ime përshtatet me stilin e Liverpulit, – u shpreh Verneri për “Skaj Sportin”, – Unë e di se Liverpuli është skuadra më e mirë në botë për momentin, dhe unë jam krenar që emri im lidhet me të. Gjithsesi, unë vazhdoj të jem lojtar i Lajpcigut, ndërsa Liverpuli ka lojtarë të mëdhenj dhe unë duhet të vazhdoj të përmirësohem”. Besohet, se Klopi do të jetë i detyruar të paguajë rreth 60 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit.
Sfidanti.al