Kur topin “e mbushim” me tritol, fitojnë gjithnjë të fortët !

Themi shpesh , sidomos në anët tona, kur flitet  me gjuhën e metaforës, se topi nuk është gjithnjë i rrumbullakët.  Por, në të vërtetë, me ato që ndodhin,  jo rallë, topi mund të ketë çfarëdo lloj forme, por me çfarë e kemi mbushur brënda?  Shumë ironik është fakti se në Shkodër, pra në “Anglinë e Shqipërisë”, atje ku lindi futbolli, kanë bërë bujë  disa histori, që vrasin topin një herë me thikë dhe një herë me tritol. Në cilin kampionat të Ballkanit apo të Botës do të bënte kaq pak bujë ,  fakti se qënka vënë tritol në makinën e Suad Licit, administratorit të Vllaznisë. Ku  tjetër , do të tregonin kaq haptazi se fusha e futbollit është e minuar, por për fat “bombat” nuk plasin se ne e dimë ku ta vendosim  këmbën…

Fraza e Suad Licit se “nuk kam frikë nga kriminelët”,  tingëllon shumë  kurajoze, sidomos kur flitet për  një tokë të mësuar  me dhunën e te fortit, te atij  që  nuk i ndahet dot kësaj treve  , sepse edhe kur bëjmë Kuvendin e madh, pra Asamblenë  Zgjedhore”,   janë të fortët që bëjnë ligjin, kurse “delet” janë sa për të ngritur kartonin.  Dhe, sa herë që në emër të futbollit dalin në skenë thikat, akoma më keq, kobziu  tritol, FSHF  ka frikë të futet në mes, se është si ata që nuk di se me kë të bëhet…

Sfidanti.al