Nga njerëzit e urtë thuhet shpesh se ata që e mbajnë veten si parimorë të papërlyer, mund të kthehen në dhunuesit më të mëdhenj, e mund të bëjnë krimet më të mëdha. Në të vërtetë, këtë e ka treguar historia, por për fat Jurgen Klopi nuk është një parimor i tillë. Jo se nuk është parimor, përkundrazi është fortësisht i tillë, por di edhe “ta dredhë”, ose e thënë më bukur, të përshtatet me realitetin. Njeriu që para pak viteve u skandalizua për shpenzimet e mëdha në futboll, nuk do ta ketë problem që të synojë Xhejdën Sançon nga Dortmundi.
Sanço, një nga talentet më të mëdhenj të Europës, mund të kushtojë mbi 100 milionë euro, madje edhe 120 milionë, dhe lajmet janë që 19-vjeçari dëshiron të largohet këtë verë nga Borusia. Mançester Siti e Mançester Junajtid janë nga ata që do të bëjnë derbi për të, por Klopi shpreson të shfrytëzojë lidhjet e veçanta me Dortmundin, si dhe famën e sotme të Liverpulit, për ta marrë në “Anfild”. Edhe në të kaluarën, trajneri gjerman ka kombinuar thjeshtësinë me shpenzimet e mëdha. Liverpuli është një skuadër e krijuar me pak para, por gjithsesi u paguan 85 milionë euro për Virgil Van Dajkun dhe 72.5 milionë euro për portierin Alison.
Sfidanti.al