Kumbulla, 20 vjeç, 20 milionë vlerë kartoni, më i miri ndaj Juves!

Shqipëria ndoshta nuk e ka ëndërruar kurrë që të ketë në Serinë A një mbrojtës që të cilësohet nga më të mirët. Një tip Barezi, Shirea apo Kanavaro, sa për të dhënë disa shembuj legjendash të 40 viteve të fundit. Ja që mund ta ketë, dhe kjo u bë edhe më e qartë kur Marash Kumbulla shkëlqeu si askush tjetër duelin e madh ndaj Juventusit.

Kampionët e Italisë u mundën në Veronë, dhe mediat vendase i dhanë qendërmbrojtësit shqiptarë të veronezëve notën 7.5. “Kumbulla impresionues”, – titullon “La Gazeta delo Sport”, e cila kishte nënvizuar menjëherë pas fitores se “Kumbulla është një 20-vjeçar, të cilit kartoni i futbollistit i kushton 20 milionë euro”. Një kalim tek Interi apo Napoli, pse jo tek Juventusi e Mançester Junajtidi, mund t’ia dhjetëfishonte rrogën deri në 2 milionë euro në sezon, por ky nuk do të ishte fundi.

Ndaj Juventusit, ai shënoi gol për 1-0, që u akordua nga gjyqtari, por u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje “milimetrik”. Në fund, ishte po Kumbulla që detyroi Bonuçin të prekte topin me dorë, në një dyluftim ajror, dhe kjo solli penalltinë vendimtare, të kthyer në gol nga Pacini.

Sfidanti.al