Nuk na e bënte dora ta quanim “tifozi” sepse vetëm i tillë nuk mund të ishte. Një njeri u pikas nga kamerat dhe aparatet fotografikë (apo edhe celularët) ndërsa e kishte zënë gjumi gjatë finales së Super Boulit në SHBA, mes Kanzas Sitit dhe San Franciskos. Ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se ai ndodhej në një zonë ku bileta kushtonte 7 000 USD, pra një pasuri e vërtetë. Identifikimi nuk vonoi dhe doli se gjumashi ishte Deklan Kelli, një shef ekzekutiv i një kompanie këshillimore të quajtur Teneo. Duket se Kellit ia paskan bërë dhuratë biletën dhe ai paska vendosur të shkojë të shikojë se çdo të thotë të jesh në një ndeshje të tillë.
Kjo të kujton një histori të viteve 50-të në Shqipëri, kur në Tiranë erdhi kombëtarja e Hungarisë, me Pushkashin, Koçishin, Ciborin, Lantoshin, Hidekutin apo Groçiçin, Brazili i atyre viteve, dhe një tifoz pasi zuri vend në “Qemal Stafa”, u kthye nga shokët dhe pyeti: Kush luan sot? Menjëherë, dikush tjetër aty pranë ia ktheu: O shok, pse e paske shkuar kot biletën!
Sfidanti.al