Disfata ndaj Bajernit shpresohet të harrohet edhe pse ishte e rëndë. Një skuadër e Jurgen Klinsmanit nuk duhet të luajë në atë mënyrë, dhe trajneri po përpiqet ta kthejë në “terezi” Hertën e Berlinit, aq sa është gati të prishet edhe me tifozët e tij. Në seancën e fundit stërvitore, ai papritur urdhëroi që tifozët, kameramaët dhe gazetarët të largoheshin nga kompleksi stërvitor, pasi ai do të punonte në mënyrë të fshehtë. Ishin rreth 20 tifozë që kishin sfiduar të ftohtin dhe erën e acartë për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës.
Dy prej tyre ishin çifti Hans Dolbert dhe gruaja e tij Eva, që kishin ardhur në Shenkendorfplac që nga Klajmahnovi. “E pakëndshme, – tha Hansi për “Bildin”, – ne bëjmë gjithë atë rrugë për të parë ekipin, pasi kemi dëgjuar se Klinsmani ka bërë shumë ndryshime, por ja ku na nxjerrin jashtë. A nuk mund të lajmëronin më herët, që të mos kishim ardhur fare?” Ndihmësi i Klinsmanit, Aleksandër Nuri, u shpreh se kjo masë u mor që lojtarët të përqëndroheshin totalisht tek ndeshja e radhës. Me gjasë, Klinsi shpreson të pajtohet me tifozët me një fitore në Volfsburg.
Sfidanti.al