Garet Bejli vazhdon të shënojë, dhe të mos festojë për Realin!

Është e qartë se nuk ndjen kënaqësi, dhe se nuk ka shumë dëshirë të vazhdojë aty ku është. Gjithsesi, Garet Bejli është i detyruar të veshë sërish fanelën e Realit dhe të bëjë punën për të cilën paguhet, edhe pse trajneri Zinedin Zidan për momentin e quan zgjedhje të dytë. Uellsiani u la jashtë ekipit në fitoren ndaj Seviljes në La Liga por u zgjodh si titullar në Kupën e Mbretit në fushën e një rivali “liliput” si Unionistas de Salamanka. Bejli shënoi golin e parë të ndeshjes, dhe thuajse nuk festoi fare, një shenjë demonstrative për gjendjen e humorit të tij.

Pasi ai doli i dëmtuar, Unionistasi barazoi me golin e bukur të shënuar nga Alvaro Romero, por “i harruari” Brahim Diaz realizoi dy gola për të shpëtuar Zidanin nga një eleminim i turpshëm. Pjesa e parë ishte shumë e vështirë, me portierin rezervë, Areola, që bëri dy pritje. Sa për Bejlin, duket se ai do të vazhdojë në Madrid, pasi siç thotë agjenti i tij, vështirë se dikush do ta merrte huaj, apo do të shpenzonte aq shumë para sa kërkon Reali për të. Kjo do të thotë se ylli ofensiv do ta respektojë deri në fund kontratën në “Bernabeu”, që i jep nja 450 000 euro në javë.

Sfidanti.al