Ksavi është shpresa e re e Barcelonës, nga legjenda kërkohet “tiki-taka” dhe Championsi!

Është kohë e kthimit të legjendave. i tillë në Katalonjë është padyshim Ksavi Hernandez, i njohur nga të gjithë me emrin e parë, dhe Barcelona ka menduar fuqishëm për ta sjellë sërish ish-kapitenin në “Kamp Nou”. Mediat madrilene dhe katalanase theksojnë se dy prej drejtuesve, Erik Abidal dhe Oskar Grau, kanë udhëtuar për në Katar ku Ksavi vazhdon karrierën si trajner, dhe i kanë propozuar një kontratë 2.5-vjeçare.

“Barça kërkon Zidanin e saj”, – është titulli i goditur i gazetës “AS” në Madrid. Disfata në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës, 2-3 ndaj Atletikos së Madridit në Arabinë Saudite, duket se mbushi kupën për trajnerin Ernesto Valverde, dhe drejtuesit duket se kanë ndërmend t’i japin duart. Jo vetëm sepse klubi i madh humbi shansin për një trofe, të parin e sezonit, por sepse besimi ka rënë shumë pas 2 vjetësh e gjysmë me Valverden.

Humbja me Atletikon iu shtua katastrofave në Champions ndaj Romë e Liverpulit, dhe pavarësisht se La Liga është fituar dy herë radhazi, Barça kërkon shumë më tepër. E harruar është loja tiki-taka e Guardiolës dhe Luis Enrikes, diçka që duket se po e bën Reali, dhe thuajse e pamundur duket të dominohet Europa. Edhe kampionati spanjoll rrezikohet të humbet përballë një Madridi spektakolar të trajnerit Zidan.

Shpresat e të gjithëve te Ksavi janë shumë të mëdha, dhe me të drejtë. Ish-regjisori i mesfushës ishte pjesë e treshes magjike me Mesin dhe Iniestën, duke fituar gjithçka në karrierë, e duke vendosur rekorde, ndaj cilësohet si më i përshtatshmi në stol, edhe pse kandidatë janë edhe Ronald Kuman apo Tieri Henri.

Sfidanti.al