Alegri apo Poçetino? Dihet vetëm që Solskjer po lëkundet mjaft!

Dështimet e tij nuk janë aspak deri aty ku mbërriti Aleks Fergusoni (përpara se të bëhej Sër), por sërish pozitat i janë dobësuar. Tifozët e Mançester Junajtidit ende nuk kanë dalë me parulla “Solskjer jashtë”, siç bënë me Fergin pas humbjes 1-5 të derbit ndaj Mançester Sitit, por gjithsesi, ata nuk janë aspak të kënaqur. Të palumtur edhe drejtuesit në “Old Traford”, me skuadrën që herë duket e aftë për mrekulli, dhe herë sikur të jetë një tufë me fëmijë, diçka që padyshim rëndon mbi supet e trajnerit.

Në mediat angleze kanë nisur (sërish) të dalin emrat e pretendentëve për “stolin e nxehtë” të Junajtidit, dhe sërish janë nxjerrë nga “sënduku” titujt për Masimiliano Alegrin dhe Maurisio Poçetinon. i pari vlerësohet për përvojën e madhe me Juventusin dhe Milanin, ku fitoi disa tituj kampion dhe arriti dy herë finalen e Championsit. Natyrisht, Alegri nuk është një spektakël futbolli, por është i zgjuar në marrëdhëniet me yjet, diçka që ka qenë problem në “Old Traford”. Poçetino ofron më pak eksperiencë, nuk ka fituar trofe, por është njohës shumë i mirë i futbollit anglez, dhe premton spektakël.

Sfidanti.al