Klopi detyrohet të luajë me “fëmijët” ndaj Evertonit në Kupë!

Kalendari është i ngjeshur, por nuk është faji i tij që Liverpuli është sërish në telashe. Trajneri Jurgen Klop mund të jetë i detyruar të hedhë në fushë mjaft djem të rinj, siç ndodhi në ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj Aston Vilës, por kjo për shkak të dëmtimeve. Të kuqtë do të luajnë ndaj Evertonit në Kupën e Anglisë dhe gjermani ka shumë lojtarë të dëmtuar, plus që disa të tjerë duhet edhe të pushojnë.

Derbi në “Anfild” luhet të dielën në orën 17:00, dhe Klopi ka të dëmtuar disa lojtarë si Nabi Keita, Xherdan Shaqiri, Zhoel Matip, Fabinjo, Dejan Lovren, Aleks Okslejd-Çembërlen apo Rajan Brujster. Liverpuli ka të gatshëm vetëm 12 lojtarë të përhershëm të ekipit të parë, plus japonezin e marrë nga Salcburgu, Takumi Minamino. “Unë nuk do t’ia tregoj Karlo Ançelotit formacionin tim, por do të bëj atë që do të më duket e drejtë për të bërë, – tha Klopi, – do të vendos vetë, por në bashkëpunim me stafin mjekësor”. Liverpuli luajti me lojtarë krejtësisht të rinj ndaj Aston Vilës në Kupën e Ligës duke u mundur 0-5 në “Vila Park”, dhe disa nga të rinjtë mund të jenë në formacion apo në ekip.

Sfidanti.al