Një rrugë e dy punë për Leonardin, merr trofeun dhe fitoren në Toronto

Rikthimi i tij ishte triumfal në gjithë kuptimin e kësaj fjale. Koui Leonard u prit si hero në Toronto, edhe pse hyri në Arenë si kundërshtar, ndërsa arriti ta fitonte ndeshjen me fanelën e Klipersave. Protagonisti kryesor i titullit të vjetshëm në NBA, mori unazën e kampionit që i takonte, u brohorit nga publiku dhe u përqafua nga ish-shokët e ekipit, por më pas doli në fushë dhe i bëri që të mërziteshin.

Leonardi shënoi 23 pikë, kapi 5 topa në tabela dhe shërbeu 6 asistë, si dhe shtoi 2 vjedhje topi, dhe Klipersat nga Los Anxhelosi fituan thellësisht 112-92. Në të vërtetë, kalifornianët luajtën mirë si skuadër pasi Lou Uilliams shënoi 18 pikë, Harkles 14, Pol Xhorxh 13, Paterson e Beverli nga 11 dhe Harrell 10 pikë. Synimi i Klipersave kuptohet nuk është një fitore në Toronto, edhe pse kampionët në fuqi janë paraqitur shumë mirë deri tani. Leonard dhe shokët e tij duan titullin në NBA dhe për këtë duhet të mundin më të fortët, që janë Los Anxhelos Lejkërsat dhe Miluoki.

Sfidanti.al