Dy zëvendësime radhazi sollën polemika pas ndeshjeve në Champions e në Serinë A. Papritur, Kristiano Ronaldo u shfaq “shëndoshë si molla” me fanelën e Portugalisë, duke luajtur pa problem ndeshjet eleminatore të Europianit ndaj Lituanisë e Luksemburgut, e duke shënuar 4 gola. Pas kthimit në Torino, ndërsa mediat italiane shkruanin me gëzim se u rivendos paqja pas polemikave, ja ku del lajmi se CR7-ta u cilësua në dyshim për ndeshjen ndaj Atalantës.
Trajneri Mauricio Sarri mendoi ta linte edhe një herë jashtë skuadrës që do të udhëtonte për në Bergamo. Ronaldo bëri stërvitje individuale, dhe mjekët sërish thanë se ka shqetësime në gju, veçse çudia është që ky gju me shqetësime nuk e ndaloi të luante me kombëtaren. Tek Juventusi nuk bëhen komente, por ka një plan për ta pasur Kristianon në formë në Champions, pra ta lerë pak pushim pas një periudhe me shumë udhëtime, mjaft ndeshje dhe pak stërvitje.
Sfidanti.al