Nagelsman, miku i lojtarëve tek Lajpcigu, këshillat për Zylen e Vernerin

Një trajner nuk e ka të lehtë që të jetë në krah të futbollistëve të tij gjatë gjithë kohës. Kjo sidomos është e vërtetë kur atyre u ngrihet mendja për t’u larguar, dhe shpesh reagimi i teknikut dhe i klubit është që t’i ulin në stol si ndëshkim. Duket se trajneri i Lajpcigut, Julian Nagelsman, i përket një tjetër kategorie. Në një intervistë për “Sport Bildin” ai tregon se kur ishte tek Hofenhajmi, kishte qenë ai vetë që e kishte këshilluar Niklas Zylen që të shkonte tek Bajerni.

“Unë jam mik i lojtarëve, – shprehet Nagelsmani, – unë e di se cilat janë interesat e tyre, dhe se ata duan të bëjnë karrierë. Unë përpiqem të marr maksimumin e tyre përsa kohë i kam në ekipin tim”. Tashmë, një situatë e ngjashme po vjen edhe për Timo Vernerin. Sulmuesi i Lajpcigut pëlqehet nga Bajerni, madje gjatë verës u mendua se do të ndodhte një transferim. Kjo nuk ngjau, ndërsa Nagelsmani i tha Vernerit se “gjëja më e mirë për ty, në këtë moment, është të rrish tek Lajpcigu”. Duket se trajneri mendon që sulmuesi duhet të përmirësohet ende. Për të ardhmen, ai ia ka dhënë fjalën se do ta lejojë pa problem të ikë, tek Bajerni ose tek Liverpuli.

Sfidanti.al