Liverpuli, 900 ditë pa humbur në shtëpi! A do ta ndalësh, Siti?!

Ende nuk janë bërë tre vjet, por po shkohet drejt asaj rruge. Stadiumi “Anfild” nuk e ka njohur hidhërimin e humbjes për plot 900 ditë, dhe Liverpuli ka marshuar suksesshëm në Premier Ligë dhe Champions me Jurgen Klopin. Tashmë, arritja e të besuarve të trajnerit gjerman do të ketë një tjetër test, atë më të vështirin, pasi “kështjellën” e tyre e viziton sot Mançester Siti.

Skuadra e Pep Guardiolës thuajse ia doli edicionin e kaluar, kur fitoi penallti në minutën e fundit, por Rijad Mahrez gaboi dhe dueli përfundoi 0-0. Nga 45 ndeshje të luajtura në këtë periudhë, 35 janë fituar dhe 10 janë barazuar, me shifrën e humbjeve që është ZERO. Lojtari i fundit që i ka thyer zemrën liverpulasve ishte Kristian Benteke në prill 2017, kur shënoi për Kristël Palasin. Për Mançester Sitin do të jetë shumë e rëndësishme të fitojë, pasi diferenca me Liverpulin është 6 pikë, ndonëse edhe barazimi do të ishte i mirë.

Sfidanti.al