Trajneri është kritikuar në të kaluarën për shkak të “fikjes së dritave” në ndeshje të caktuara, apo për prishjen e stilit “tiki-taka”. Ernesto Valverde ishte, gjithsesi, efikas për të mbrojtur ekipin e tij nga pësimi i golave, dhe katalanasit ishin të suksesshëm në ligën spanjolle, duke dalë dy herë kampionë radhazi.
Sot, problemi është shtuar pasi skuadra dikur më e mirë e botës, po goditet në prapavijë dhe po merr gola me shumicë. Statistikat nuk gënjejnë dhe Barça ka mesataren prej 1.27 golat për ndeshje në pasiv. Në kontinentin europian, në 5 ligat më të forta, ka plot 35 ekipe që kanë pësuar më pak gola sesa katalanasit, dhe kjo është shumë shqetësuese. Sezonin e kaluar, skuadra e Valverdes lejoi vetëm 0.95 gola për ndeshje, në 2017-2018 po me të njëjtin trajner ishte me vetëm 0.76, ndërsa në sezonin e Luis Enrikes (2014-2015) u arrit të ulej pësimi në 0.55 gola për ndeshje, po aq sa edhe në edicionin triumfal të Guardiolës në 2010-2011. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë thjesht me problem të trajnerit, por sidomos të futbollistëve.
Sfidanti.al