Kukësi nuk u duk aspak mirë ndaj Flamurtarit, rroftë goli i Dakut!

Mungesat ndikojnë gjithnjë, por nuk mund të jenë justifikim. Kukësi u ndodh pikërisht në një situatë të tillë përballë Flamurtarit në Superligë, me Shkurtajn që nuk mundi të luante dhe Abazajn që doli nga loja shumë shpejt, veçse arsyet e fitores së vështirë janë të tjera.

Me gjasë presioni i madh mbi skuadrën për të arritur rezultate e për të luajtur mirë ka bërë efektin e kundërt, ndaj edhe suksesi u arrit vetëm me një gol, madje edhe me fat. Shpëtimtari ishte sulmuesi Daku, ai që zëvendësoi Shkurtajn, dhe realizoi pas pushimit, ndërsa paraqitja la për të dëshiruar.

Të jesh i barabartë, apo ndoshta edhe më keq sesa një Flamurtar kaq i dobët, nuk është një kompliment. Trajneri Duro ndoshta po vuan nga dobësitë në mbrojtje dhe mungesat në sulm, ndërsa mesfusha duket reparti i vetëm i plotësuar. Rastet ishin ndoshta më të shumtë për vlonjatët, ku Sukaj u bë kërcënim i vazhdueshëm për portën e mbrojtur nga Xhika. Sidomos në pjesën e parë, sulmuesi shkodran u tregua i papërmbajtshëm.

Dy skuadrat ishin të barabarta edhe në goditjen e shtyllave, nga një secila, por tri pikët i mori Kukësi i Duros. Suksesi të paktën nuk lejoi që nënkampionët të mbeteshin prapa në renditje, madje ata janë afruar më shumë me zonën që të çon në kupat europiane. Kukësi ka 16 pikë pas 11 javësh Superligë.

Sfidanti.al