Çfarë spektakli, por ç’dreqin i duhet Liverpulit kjo Kupë e Ligës!

Një spektakël, pa dyshim, por që mund të ndërpritet para kohe. Liverpuli e arriti në mënyrën më të veçantë të mundshme kualifikimin për në çerekfinalet e Kupës së Ligës, veçse seria tjetër e kësaj telenovele mund të mos luhet. Dueli në “Anfild” ndaj Arsenalit ishte i jashtëzakonshëm, përfundoi 5-5 me përmbysje e me penallti, por trajneri i vendasve, Jurgen Klop, ishte i prerë në përfundim.

Siç raporton “Deili Meil”, gjermani kërcënoi me bojkot të çerekfinales ndaj Aston Vilës, nëse ndeshja nuk zhvendoset nga dita e Krishtlindjeve, ditë kur Liverpuli duhet të fluturojë për në Katar, për Kupën e Botës të klubeve. Përtej kërcënimit, Klop ishte shumë i kënaqur.

“Ndoshta, duhet të shqetësohemi për golat e pësuar, por unë nuk kam ndërmend ta vras mendjen, – tha ai, – ndeshja ishte thuajse perfekte, pavarësisht gabimeve. Unë shijova çdo moment të saj, nuk mbaj mend kur jam kënaqur më shumë se kaq nga një ndeshje futbolli. Jam i lumtur për djemtë tanë të rinj”.

Klop ka të drejtë, pasi për Liverpulin luajtën 4 adoleshentë, ndërsa lojtarët kryesorë bënë një pushim të domosdoshëm. Sfida pati përmbysje dhe Arsenali kryesoi në 3-1 dhe 4-2, por nuk u mbajt deri në fund. Shkodran Mustafi me autogol, Milner me penallti, Okslejd-Çembërlend dhe dy herë Divok Origi ishin autorët e golave për vendasit, me rrjetën vendimtare në minutën e 94-ët.

Tek penalltitë, Arsenali gaboi një herë, dhe kjo mjaftoi që Liverpuli të kualifikohej. “Deili Meil” e cilësoi ndeshjen në “Anfild” si një masakër, një film i tmerrshëm me 10 gola, dhe me rrjeta të bukura. Kupa e Ligës në Angli pritet të ketë emocione të forta, pasi në çerekfinale janë edhe Mançester Junajtidi e Mançester Siti.

Junajtid arriti një kualifim të rëndësishëm duke fituar 2-1 në fushën e Çelsit, me dy gola të realizuar nga sulmuesi kryesor, Markus Rashford.

Sfidanti.al