Tifozët kanë nisur të rrallohen në “Santiago Bernabeu”. Publiku nuk ka mbetur i kënaqur këtë sezon nga Reali, pavarësisht se ende luftohet për gjithçka, dhe vështirë se do të ndryshojë mendje thjesht nga një fitore. Gjithsesi, aq probleme kanë pasur madrilenët këta muaj, saqë një sukses 5-0 cilësohet gjë e madhe, dhe që jep shpresë.
Duke theksuar se Leganjes ishte rival i dobët, duhet të shtojmë se skuadra e trajnerit Zidan më në fund luajti futboll siç duhet, ndihmuar nga një lojtar klasi, që po mban barrën pas largimit të Ronaldos.
Ky nuk është Eden Hazar, pavarësisht se belgu u mor pikërisht për këtë, por Karim Benzema. Sulmuesi francez, sot 31 vjeç, arriti në kuotën e 7 golave në La Liga, por sidomos ndihmoi thuajse në të gjitha rrjetat e tjera. Jo më kot, ai ka qenë futbollisti më besnik dhe më i rëndësishëm për Zidanin, ndonëse kënaqësia e publikut dhe e tifozëve ishte edhe për Toni Krosin. Mesfushori gjerman po kthehet në formën e tij më të mirë.
Me këtë fitore, Reali u ngjit në kuotën e 21 pikëve, vetëm një pikë prapa Barcelonës kryesuese, aspak keq në një sezon kaq të kritikuar. i riu Rodrigo gjeti rrugën e rrjetës, ashtu si kapiteni Sergio Ramos, që pati nevojë për ta gjuajtur dy herë penalltinë, ndihmuar edhe nga VAR-i. Lehtësim i madh edhe për sulmuesin serb, Luka Joviç, që zëvendësoi Benzemanë. Ai realizoi golin e parë me fanelën madrilene, dhe shpreson që në të ardhmen të jetë po aq i mirë, sa kur ishte tek Frankfurti.
Sfidanti.al