Dinamo e Zagrebit sërish ëndërron “pranverën europiane”!

Kërkon të jetë aty duke hyrë nga dera kryesore, jo nga prapa. Dinamo e Zagrebit po tregohet më e fortë se kurrë, të paktën në 55-60 vitet e fundit, dhe barazimi në Harkiv ndaj Shahtarit të Donjeckut tregoi se mund të kualifikohet për në turin e dytë të Championsit. “Blutë” kroatë dolën 2-2, dhe me shumë gjasë çdo gjë do të vendoset në takimin e dytë mes tyre në grup, atë që do të luhet në stadiumin “Maksimir”.

“Dinamos nuk i ranë brekët për herë të parë pas kaq kohësh, – ishte titulli i “Jutarnji Listit”, – dhe tani është një hap larg kalimit në turin e dytë. (Trajneri) Nenad Bjelica e tha me forcë fjalën e tij”. Pavarësisht se Shahtari e mbajti më shumë topin (63 për qind me 37 për qind), sërish Dinamo u mbajt mirë dhe ishte e barabartë. Kroatët patën më shumë goditje nga këndi, më shumë goditje në portë, dhe numër të barabartë goditjesh drejt portës.

Konpljanka kaloi në epërsi vendasit në 16’, spanjolli Dani Olmo barazoi në 25’ dhe Mislav Orshiç përmbysi rezultatin me penallti kur kishte kaluar një orë lojë. Barazimin e vendosi Dodo në 75’, ndërsa Dinamo pati rast në fund për të fituar. “Kam besim se mund të kualifikohemi, – tha trajneri Bjelica pas ndeshjes, – nuk i lamë shumë mundësi kundërshtarit, dhe ishim në nivel të mirë. Bëra zgjedhje të drejtë që Arijan Ademi luajti që nga fillimi, pasi ishte në formë të mirë fizike”.

Kampionia e Kroacisë, sipas “Veçernji Listit”, kishin fituar 25 milionë euro që para nisjes së ndeshjeve në grupe, me suksesin ndaj Atalantës morën 2.7 milionë euro të tjera, dhe 900 000 euro vlejti barazimi në Ukrainë.

Sfidanti.al