Dermaku-Kumbulla, dyshja shqiptare e Serisë A që bën të lumtur kombëtaren!

Erdhi më në fund dita e shumëpritur. Mund të ndodhë të debutosh në Serinë A edhe kur nuk je adoleshent, por 27-vjeçar, ashtu si Kastriot Dermaku. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u zgjodh nga trajneri i tij, tek Parma, për të qetë titullar në duelin ndaj Xhenoas, një ndeshje që u kthye në festë. Emilianët fituan 5-1 dhe shqiptari me origjinë nga Kosova pati një kënaqësi të dyfishtë. Seria A është një kulm në karrierën e Dermakut, që kishte luajtur për skuadra modeste si Melfi, Pavia, Lukeze apo Kozenca, veçse suksesi nuk ka formulë dhe mund të arrihet në çfarëdo moshe.

“Ishte një emocion i madh për mua, – u shpreh Kastrioti për televizionin e klubit, – e pabesueshme, sepse nuk jam shumë i ri, jam 27 vjeç. Falenderoj shokët që më ndihmuan në debutim, dhe më vjen mirë sepse që të gjithë zhvilluam një ndeshje të madhe. Në tribunë ishte edhe babai im. Tani kemi një ndeshje të rëndësishme ndaj Interit, le të pushojmë dhe t’ia dalim me sukses”.

Një tjetër mbrojtës i kombëtares që po shkëlqen në Serinë A është Marash Kumbulla, për të cilin thuhet se po vëzhgohet nga Juventusi. Vetëm 19-vjeçar, ai shihet si një zgjedhje afatgjatë për kampionët e Italisë, apo për çdo klub të madh Italian. Djaloshi me origjinë nga Shkodra, por i lindur në Itali, ka shënuar tashmë golin e tij të parë në elitën e futbollit italian, duke qenë i pari i lindur në vitin 2000 apo më vonë që ia del.

Lajmet janë shumë të mira për kombëtaren shqiptare dhe tifozët e saj, pasi Dermaku dhe Kumbulla janë ndër lojtarët kryesorë të mbrojtjes, në krah të Mavrajt, Gjimshitit, Ismajlit apo Veselit. Dermaku edhe ka shënuar për kuqezinjtë, ndërsa Kumbulla sapo ka bërë debutimin.

Sfidanti.al