Në futboll as nuk fitohet, dhe as nuk shënohet vetëm. Edhe të tillë si Pele e Maradona nuk ia kanë dalë, pra nuk mund të ndodhë kjo as në kombëtaren e Shqipërisë, ku çelësin për të shkuar tek rrjeta e mban më shumë se të gjithë, një emër i njohur. Odise Roshi është njeriu që të gjithë sulmuesit e duan në fushë.
Lojtari 28-vjeçar i krahut ka ndihmuar Balajn, Sadikun, Cikalleshin apo Manajn për të realizuar, dhe ekipin përfaqësues për të marrë pikë të rëndësishme në eleminatoret e Europianit apo Botërorit. Nuk kanë kaluar më shumë se pesë vjet që nga ndeshja Portugali-Shqipëri, që u vendos nga goli i Bekim Balajt, shënuar pas pasimit të fundit marrë pikërisht nga Roshi.
Më shumë se të gjithë prej tij ka përfituar Armando Sadiku, golshënuesi më i mirë kuqezi i viteve të fundit, që shfrytëzoi pasimet e fierakut në ndeshje të ndryshme, duke nisur nga ajo historike në Armeni, ku u sigurua kualifikimi për në Euro 2016. Më pas, në miqësoren me Ukrainën para Europianit, në eleminatoret e Botërorit në Izrael, për të arritur në dy asistet në ndeshjen miqësore në fushën e Turqisë, fituar 3-2 nën drejtimin e ish-trajnerit Kristian Panuçi.
Gjithsesi, Roshi mbetet i vlefshëm edhe sot, dhe askush nuk harron ndihmën e tij në ndeshjet e fundit. Ndaj Moldavisë në “Elbasan Arena” për eleminatoret e Europianit, shërbeu për Sokol Cikalleshin, ndërsa po ndaj Moldavisë krijoi golin e katërt të Rej Manajt, në duelin e pak ditëve më parë luajtur në stadiumin e Çisinaut. Natyrisht, futbollisti që luan në Premier Ligën Ruse me Ahmatin e Groznit, di edhe të shënojë, dhe këtë e ka bërë 5 herë me fanelën e kombëtares.
Sfidanti.al