Me gjasë, “armiqtë” do të jenë në fushë në 18 dhjetor, ditë të mërkurë. As Federata Spanjolle e Futbollit, as Liga Spanjolle e Futbolit dhe as qeveria spanjolle nuk duan që Barcelona-Real Madrid të luhet në 26 tetor në “Kamp Nou”. Gjendja në Katalonjë paraqitet shpërthyese, pas dënimeve me burgim të gjatë për politikanët pro pavarësisë së rajonit autonom, dhe po kërkohet ethshëm për një rrugëdalje.
Ideja e parë, ajo e rokadës së stadiumeve, u hodh poshtë menjëherë nga të dy klubet, me katalanasit që nuk shohin ndonjë problem që të luajnë në 26 tetor, dhe me madrilenët që deklarojnë se pranojnë shtyrje, por jo zhvendosje të ndeshjes. Duket se ky variant i tyre po merr më shumë pikë, pasi flitet se ndeshja mund të luhet të mërkurën e 18 dhjetorit, gjithnjë në “Kamp Nou”. Deri në atë kohë, gjendja mund të jetë qetësuar, nëse jo, shohim e bëjmë. Deri të hënën do të shihet nëse mund të ketë akord mes klubeve, ndërsa vendimin do ta marrë Komisioni i Garës në La Liga. Interesant fakti se shumica e tifozëve ishin në favor të luajtjes në 26 tetor në “Kamp Nou”, sipas një sondazhi të gazetës së Madridit, “Marka”.
Sfidanti.al