Vetëm koha dhe puna fshijnë kujtimet e këqija. Një seancë stërvitore në Stamboll, në orën 11:00 të paradites, ishte puna e parë e bërë nga ekipi ynë përfaqësues, pas humbjes së hidhur me Turqinë, dhe trajneri Reja u përpoq të largonte shijen e disfatës, dhe të kalonte vëmendjen në duelin e radhës, atë ndaj Moldavisë në Çisinau.
Luhet sërish për Euro 2020, dhe edhe nëse nuk arrihet kualifikimi, do të duhet të luftohet për vendin e tretë, pra luhet për fitore. Reja do të duhet të shohë gjendjen fizike të lojtarëve pas sforcimit të madh të së premtes, me të tillë si Ismajli, Lenjani, Memushaj, Cikalleshi apo Manaj që shpenzuan shumë energji. Nuk përjashtohen ndryshime në formacion, diçka që do të vendoset nga italiani vetëm përpara ndeshjes së të hënës.
Edi Reja nuk e pati një dhuratë nga futbollistët e tij për ditëlindjen e 74-ët, që e kaloi pikërisht një ditë para ndeshjes në Stamboll, por ndoshta skuadra është e vendosur që ta gëzojë në Moldavi. Pasditen e së shtunës, kombëtarja udhëtoi nga Turqia për në Çisinau, një udhëtim relativisht i shkurtër, dhe që nuk e shton lodhjen.
Këtë të diel, është parashikuar konferenca e shtypit e Rejës në orën 19:00, ndërsa në 19:30, do të jetë stërvitja e fundit përpara duelit në stadiumin e Zimbruit. Shqipëria jepet favorite për të arritur suksesin, diçka që e bëri në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”, fituar me shifrat 2-0.
Sfidanti.al