Bryzhi ringjall fantazmat e Realit, sa rrezikohet në Champions?!

Nuk është fundi i botës kur ke 1 pikë pas dy ndeshjeve të para në grup në Champions. Të gjithë e kujtojnë Totenhemin e vjetshëm, me vetëm 1 pikë në 3 ndeshje, por që më pas arriti deri në finale, veçse ajo që ndodhi vitin e kaluar nuk mund të jetë garanci për atë që pritet të ngjajë këtë herë. Reali dhe Liga e Kampionëve ngjajnë si një “çift në krizë” pas barazimit 2-2 në “Bernabeu” ndaj Klub Bryzhit, aq më tepër që ky rezultat erdhi pas disfatës së rëndë 0-3 në Paris.

Dikush mund të thotë i habitur se skuadra e Zidanit barazoi me autoritet në derbin e Madridit, në fushën e Atletikos, por një përgjigje mund të jetë se liga spanjolle ndoshta nuk është ajo e së kaluarës. Reali, madje rrezikoi të humbiste përsëri, duke qenë në dizavantazh 0-2 pas pjesës së parë. Denis shënoi dy herë (9’, 39’) për miqtë, dhe u desh reagimi pas pushimit për të shpëtuar të paktën nderin. Sergio Ramos në 55’ dhe Kasemiro në 85’ siguruan pikën. Tashmë, skuadra e trajnerit Zidan do të duhet të luftojë për kualifikimin, me Gallatasarajin e Bryzhin, ndërsa PSG mund të jetë skuadra e parë në grup. Reali do të duhet të luajë në Stamboll, ndaj Gallatës, vetëm 4 ditë pas “El Klasikos” me Barcelonën, një sakrificë më shumë për të.

Sfidanti.al