Nuk është mësuar të dalë nga fusha i mundur kaq shpesh. Paris SG, një nga skuadrat më të shtrenjta në botës, pësoi humbjen e dytë të sezonit në ligën franceze, diçka tronditëse kur kanë kaluar vetëm 7 javë. Reimsi triumfoi brenda në “Park dë Prinses”, ku Hasane Kamara dhe Bulaje Dia ishin ndëshkuesit e kampionëve.
Braziliani Nejmar ishte në formacion, por këtë herë ndodhi e treta e vërteta. Pasi shpëtoi dy herë ekipin në minutat e fundit, këtë herë nuk mundi. Trajneri Tomas Tuhel mund të mbrohet duke thënë se mungesat ishin të shumta dhe të rëndësishme, si Mbape, Kavani, Ikardi, Verrati apo Draksler, por një skuadër si PSG nuk mund të justifikohet kështu ndaj një rivali si Reimsi.
“Gjithë bota mund ta bëjë rolin e trajnerit pas ndeshjes, – deklaroi i nervozuar Tuheli, – patëm shumë mungesa, dhe nuk pendohem për formacionin. E vërteta është se nuk ishim aspak të rrezikshëm edhe pse e mbajtëm shumë topin. Humbja ishte e merituar, dhe më vjen keq sepse vinim pas fitores në Lion. Rëndësi ka që jemi të bashkuar, por duhet të kuptojmë se duhet respektuar fanela sidomos në Paris”.
Gazetat nuk e falën skuadrën e yjeve. “L’Ekip”: Shampanjë në Park! Të bashkuar dhe efikasë, lojtarët e Reimsit i shkaktuan një Parisi të copëtuar, disfatën e dytë të sezonit! “Lë Parizien”: Këtë herë, Nejmari nuk e bëri dot diferencën! i zhgënjyer për lojën e zhvilluar ndaj Reimsit, ylli brazilian nuk përsëriti veten si ndaj Strasburgut e Lionit!
Sipas mediave, të paralajmëruar pas humbjes janë lojtarë si Soh, Paredes e Kurzaua. Vetëm Di Maria mund të veçohej pozitivisht në duelin e Ligës së Parë. PSG mbetet në krye me 15 pikë, po aq sa Anzheri, por gjithsesi duket tepër larg nivelit të vjetshëm, kur e shkeli me këmbë kampionatin francez që në javët e para, duke vendosur edhe rekordin e fitoreve radhazi. Fati i kryeqytetasve është që nuk kanë rivalë, pasi fuqitë tradicionale, si Lioni, Bordoja apo Marseja, duken gjithashtu në krizë.
Sfidanti.al