Nuk është dëgjuar kurrë një rrogë e tillë në Premier Ligë, ndërsa vetëm “të veçantë” si Mesi, Ronaldo apo Nejmar, mund të arrijnë ta mendojnë këtë. Pol Pogba, gjithsesi, gjykon se nuk ka përse t’i vendos kufij vetes, ose më mirë të thuhet ka gjetur mënyrën sesi ta bëjë Mançester Junajtidin që ta largojë verën e ardhshme. Mediat britanike shkruajnë se kampioni i botës kërkon 600 000 paundë stërlina rrogë në javë në “Old Traford”, për të firmosur kontratën e re. Kjo do të thotë gati 700 000 euro në javë, diçka që “djajtë e kuq” vështirë të bien dakord që t’ia japin, edhe pse kanë nxjerrë të ardhura rekord sezonin e fundit.
Pogba dëshiron të shkojë tek Reali, por gjatë verës bisedimet ishin të pamundura për shkak të mosdakordësisë së Junajtidit. Anglezët kërkuan 150 milionë paundë stërlina për kartonin e tij (gati 170 milionë euro), të cilat Reali nuk i pati të mundura. Kontrata e tij përfundon në 2021, dhe verën e ardhshme, madrilenët mund ta marrin shumë më lehtë.
Sfidanti.al