Tifozët e Barçës e kanë kujtesën të shkurtër me Luis Suarezin

Ishte ora 10:35 në Spanjë, dhe në “Kamp Nou” ndodhi diçka që nuk ishte parë kurrë më parë. Luis Suarez u vërshëllye ndërsa nisi të dilte dalë nga dalë nga fusha, për t’i lënë vendin Ansu Fatiut. Habia në të gjithë botën ishte e madhe pasi uruguajani ka statusin e favoritit të tifozëve, duke qenë një nga shënuesit më të mirë në historinë e Barcelonës, por ja që kjo nuk e mbrojti këtë herë.

Një pjesë e publikut duket se është mërzitur me faktin se Suarez nuk është në formën e mëparshme, por vazhdon ta mbajë vendin në skuadër falë miqësisë së tij me Lionel Mesin. Një pjesë e zemërimit të tyre, pra, duket se i përket edhe kapitenit, dhe faktit se disa lojtarë kanë shumë pushtet në klub, duke dalë jashtë kontrollit të presidentit, drejtuesve dhe trajnerit. Një çështje e ndërlikuar vërtet, dhe që ndodh shpesh kur yjet arrijnë në moshë të madhe, por gjithsesi tifozët katalanas ndoshta e kanë pak të shkurtër kujtesën lidhur me uruguajanin.

Suarezi ka 179 gola në 252 ndeshje për katalanasit, duke qenë i pesti në listën e shënuesve për të gjitha kohët në “Kamp Nou”. Nëse shënon edhe 16 herë ai kalon legjendat Samitier e Ladislao Kubala (që ka një statujë në “Kamp Nou”), dhe i mbeten përpara vetes vetëm Sesar Rodrigez e Lionel Mesi. Uruguajani, ndoshta, mund t’i nxjerrë sërish të gabuar ata që dyshojnë tek ai, por tifozët tani duan që vendin e tij ta zerë Ansu Fati.

Sfidanti.al