Pa Mesin, mediokriteti i Barcelonës nuk mund të fshihet!

U kuptua qartë sidomos sezonin e kaluar, kur mjaftonte njeriu magjik për të zgjidhur gjithçka. Mediokriteti i Barcelonës fshihej për shkak të legjendës me numrin 10, Lionel Mesi, që nxirrte “një as nga mënga” dhe fitonte ndeshjet. Këtë vit, mediokriteti është po aty, por Mesi mungon për ta shpëtuar ekipin e tij, të paktën deri tani nuk mundur të nisë asnjë ndeshje. Humbja 0-2 në fushën e Granadës ishte dëshmia më e qartë se ku ka degraduar skuadra e madhe katalanase, që kishte 25 vjet pa e nisur La Ligën kaq keq.

Trajneri Valverde duket se nuk po arrin ta shpëtojë ekipin e tij nga varësia prej Mesit, për më tepër mungesat e Zhordi Albës apo Busketsit ndikuan. Barça duket jo një skuadër, por një grumbull lojtarësh, secili me mendjen e tij. Rakitiç, Semedo, Vidal janë padyshim edhe të mërzitur me sjelljen e klubit në verë, kur deshi t’i sakrifikonte për Nejmarin, dhe Mesi ishte pjesë aktive e kësaj loje. Ndoshta jemi duke përjetuar fundin e një cikli të madh, ndoshta edhe më keq se ç’po i ndodh Realit. Nëse Zidani është vënë në dyshim, çfarë mund të thuhet për Valverden?

Në të kundërt, Granada është në kryesim të paktën për një ditë, ndonëse ka borderonë e tretë më të vogël të rrogave në kampionatin spanjoll. Kjo, falë golave të Ramon Azeezit në 2’, dhe Vadijos në 66’ me penallti.

Sfidanti.al