Dështim i Interit, por Konte kujton problemet e Sakit dhe Sër Aleksit!

Populli zikaltër në tribunat e “San Siro” natyrisht që nuk mbeti aspak i kënaqur. “Nuk festojmë për këtë barazim”, – ishte emëruesi i përbashkët i ndjenjave të tyre, shfryrë në rrjetet sociale, por gjithsesi nesër do të jetë ditë e re dhe ata do të jenë më të ftohtë për të kuptuar se “Roma nuk u ndërtua në një ditë”. Antonio Konte pati vërtet dështimin e tij të parë në stolin e Interit, ndonëse barazimi 1-1 në sekondat e fundit ndaj Sllavias së Pragës në Champions duhet quajtur reagim karakteri. Trajneri padyshim e dinte se skuadra e tij nuk ishte ajo që dëshiron dhe se mund të gabonte.

Janë legjendare kujtimet e vjetra, apo jo edhe shumë të vjetër. Nuk harrohet nisja e sezonit të Milanit të Arrigo Sakit në 1987-1988, eleminuar që në fillim nga Espanjoli në Kupën UEFA. Ishte Milani që dominoi Europën me Van Bastenin, Gulitin, Rajkardin, Barezin, Maldinin, Donadonin e Ançelotin. Si të mos kujtohet rekordi negativ i nisjes së Premier Ligës nga Mançester Junajtidi, në 1992-1993, me vetëm 5 pikë në 4 ndeshje, por pastaj djemtë e Sër Aleks Fergusonit fituan titullin.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se Interi me patjetër do të dalë kampion, e do të jetë si Milani e Mançester Junajtidi i atëhershëm. Kjo do të thotë se një dështim nuk mund të hedhë poshtë një projekt, dhe se që të arrihet tek niveli i lartë do të ketë disa dështime. Rreziku më i madh për zikaltërit është dështimi që në fazën e grupeve në Champions, ashtu siç ndodhi vjet, për më tepër konkurrenca është sërish e fortë me Barcelonën dhe Dortmundin.

Ish-lojtari i Skënderbeut, Peter Olajinka, kaloi Sllavian e Pragës në epërsi në pjesën e dytë, dhe Nikolò Barela barazoi në minutën e dytë shtesë për vendasit.

Sfidanti.al