Karl Ljuisi “ngroh” Francën para Shqipërisë, kampioni takohet me kampionët!

Një kampion e ndjen vete mirë bashkë me kampionët. Kjo ka qenë një nga arsyet e vizitës së Karl Ljuisit, legjendës së atletikës botërore, në kampin stërvitor të kombëtares së Francës. Kampionët e rruzullit në fuqi në futboll, u takuan me nëntë herë kampionin olimpik dhe 8 herë kampionin botëror, në kompleksin “Klerfonten”, ndërsa përgatiteshin për ndeshjen eleminatore të Europianit ndaj Shqipërisë.

Arsyeja më e fortë e vizitës së amerikanit 58-vjeçar në rrethinat e Parisit ishte një turne për kompaninë amerikane Najk, sponsor i tij, dhe sponsor gjithashtu edhe i Francës.

“Jam i lumtur që ndodhem sot këtu, – u shprej Ljuisi për kamerën e Federatës Franceze, – është kënaqësi të takosh kampionët e botës në futboll, që përgatiten për ndeshjen e radhës. Nuk ka qenë e lehtë të arrihej ajo që bëri kjo skuadër, pasi unë e di sesa shumë duhet të lodhesh për suksesin”.

Karl Ljuis ka një lidhje të veçantë me Francën, qoftë edhe në mënyrë aksidentale. Ai u bë heroi i Lojrave Olimpike 1984 në Los Anxhelos, duke fituar medaljet e arta në 100 metra, 4×100 metra dhe në kërcim së gjati. Po në 1984, kombëtarja e Francës, e udhëhequr nga trajneri Mishel Hidalgo, dhe kapiteni Mishel Platini, fitoi Europianin e futbollit, pasi mundi Spanjën 2-0 në Paris.

Sfidanti.al