Të jesh nga një vend shumë i civilizuar nuk do të thotë se nuk mund të gënjesh apo mashtrosh, siç e tregon rasti i Kevin Strotmanit. Mesfushori i Romës u dënua me 2 ndeshje pezullim nga autoritetet disiplinore të Serisë A, pasi pamjet filmike treguan dy faje të tij. Së pari, belgu i hodhi ujë futbollistit të Lacios, Kataldi, pas golit që shënoi në derbi, dhe ky veprim nxiti sherrin që shëmtoi ndeshjen e kampionatit Italian. Së dyti, ai mashtroi kur u rrëzua në tokë sikur ishte goditur, ndërsa Kataldi reagoi duke e kapur nga pjesa e prapme e fanelës. Rrëzimi dramatik solli përjashtimin e lacialit, ndërsa gjyqtari i dha Strotmanit vetëm një karton të verdhë. Gjithsesi, përdorimi i pamjeve filmike sqaroi gjithçka dhe belgu mori dënimin e merituar.