Bolton i adoleshentëve nuk po përballon dot sezonin e të rriturve

Me 16 lojtarë të larguar, me vetëm dy të afruar, dhe me disa dëmtime, skuadra është në buzë të greminës. Bolton Uonderers, që ndodhet në administrim për shkak të borxheve (dhe pranë falimentimit) po luan me djem fare të rinj, aq sa u detyrua të shtyjë ndeshjen e radhës në kategorinë e tretë angleze, Ligën 1. Shkaku, për zhvendosjen në një datë tjetër të duelit të sotëm ndaj Donkasterit, ishte mbilodhja e lojtarëve rioshë, të ardhur nga Akademia, të cilët nuk mund të përballojnë nivelin fizik dhe dendurinë e ndeshjeve të të rriturve në Angli.

“Na vjen keq që po shtyjmë ndeshjen, por nuk mund të bënim ndryshe, – shkruhet në deklaratën e klubit, – kemi shumë mungesa, shumë pak lojtarë, dhe djemtë e rinj kanë luajtur në mënyrë heroike”. Në të vërtetë, humbjet kanë qenë të pamundura për t’u shmangur, dhe në tri ndeshje të kampionatit është fituar vetëm 1 pikë, nuk është shënuar asnjë gol, dhe janë pësuar 7. Për më tepër, Boltoni e nisi Ligën 1 me -12 pikë, si dënim për borxhet, dhe vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë që të mos bjerë në kategorinë e katërt. Klubi, gjithsesi, është në bisedime për t’u blerë nga pronarë të rinj, dhe kjo mund të garantojë të ardhmen. Boltoni është skuadër me emër, që ka fituar 4 herë Kupën e Anglisë në vitet 1923, 1926, 1929 dhe 1958.

Sfidanti.al