Feteli është me mendje që tani në sezonin e ardhshëm

Botërori i ri i Formula 1 nis në 15 mars 2020, por për Sebastian Fetelin është njëlloj sikur të jetë nesër. Katër herë kampioni i botës është i ndërgjegjshëm se nuk mund ta fitojë titullin këtë vit, 84 pikë diferencë me Ljuis Hamiltonin janë shumë, ndaj po mendon për të qenë gati për 2020-ën. Në një plan të përbashkët, mesa duket, me Ferrarin, gjermani e sheh garën e Hungarisë si një provë shumë të mirë, që të përmirësojë makinën.

Njëvendëshja e tij është shumë e shpejt, ka shumë fuqi në motor, por ka probleme në kthesa ku humb shumë kohë ndaj Mercedesit. Pista e Hungarisë është pikërisht e tillë, mjaft teknike dhe me 14 kthesa, ndaj Ferrari do të përpiqet të provojë rinovimin e makinës për ta pasur gati për vitin e ardhshëm. “Rregullat nuk do të ndryshojnë shumë në 2020, – thotë Feteli, – pra duhet të mendojmë për zhvillimin e makinës së re. Në Hungari nuk vlen shumë shpejtësia, por kontakti i makinës me asfaltin, pra ne duhet të mësojmë shumë gjëra”.

Sfidanti.al