Rekord në futbollin rus: Malkolmi te Zeniti për 40 milionë euro?

Zeniti i Shën Peterburgut, kampion i Rusisë, do të paguajë 40 milionë euro dhe do ta sjellë futbollistin Malkolm nga Barcelona në Premier Ligën ruse gjatë sezonit të ardhshëm. Sipas menaxherit të vetë lojtarit, është rënë dakord për të gjithë detajet e marrëveshjes dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi i saj.

Sezonin e kaluar, Malkolmi la “varur” Romën, duke nënshkruar me Barcelonën, pasi më parë kishte luajtur me Bordon. Sidoqoftë, ky futbollist brazilian rrallë herë u pa në fushë, kështu që ai nisi të kërkojë që të largohet nga klubi katalonjas dhe ishte Zeniti rus që e priti atë “krahhapur”, duke i garantuar atij gjashtë milionë euro në vit dhe statusin e yllit kryesor në klubin peterburgas.

Shitja e Malkolmit, sipas medias katalonjase, lidhet me mbledhjen e mjeteve financiare të nevojshme për blerjen nga PSZH-ja të Nejmarit, ndërkohë që thuhet se Barcelona do të shesë edhe Kutinjon dhe Umtitin.

Trajneri Sergej Semak do ta ketë në dispozicion Malkolmin që në raundin e ardhshëm të Premier Ligës ruse, ndërkohë që Zentii e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri, duke shënuar tre fitore radhazi dhe duke kryesuar kampionatin rus, ndërkohë që ky klub do të marrë pjesë edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.

Sfidanti.al