“Do të ikë”, “nuk do të ikë”, kjo është loja mediatike (dhe, me shumë gjasë, e vërteta) për Kilian Mbapenë, por largimi i tij nga “Parku i Princave” të Parisit nuk mund të quhet i garantuar. Sulmuesi i Francës e paska një “damar dashurie” për klubin e kryeqytetit, por gjithashtu ka edhe disa kushte për presidentin Al Helaifi dhe për trajnerin Tomas Tuhel.
Kushti numër 1 i 20-vjeçarit duket se është “vetoja” e vendosur për Nejmarin, pra që braziliani të mos largohet. Mbape, me gjasë, nuk i jep shumë rëndësi ngjyrës së fanelës apo stemës mbi të, por faktit egoist që ai dëshiron të fitojë Championsin dhe Topin e Artë. Objektivat e mëdha kërkojnë edhe futbollistë të mëdhenj, dhe francezi ka lënë të nënkuptohet se “Nejmar është shoku im më i rëndësishëm i skuadrës”.
Kjo, edhe pse Nejmar mund të bëhet shkak që Mbape të mos e fitojë Topin e Artë, sepse të dy luftojnë për të njëjtin trofe. Zaten, prandaj sulmuesi i Brazilit u largua nga Barcelona, ku dëshiron të kthehet përsëri. Gjithsesi, vullneti i Mbapesë mund të quhet lajm i mirë për Paris SG, pasi kjo do të thotë se klubi francez mbetet i rëndësishëm në sytë e një talenti të madh, dhe kështu mund të afrojë edhe lojtarë të tjerë të shquar, për t’u bërë më në fund “mbret” i Europës.
Sfidanti.al