Eshli Barti e ka seriozisht, nderon Australinë me numrin 1 të botës

Nuk është e lehtë të përfaqësosh një vend me traditë kaq të madhe në tenis, ndonëse më shumë tek meshkujt. Eshli Barti, vajza autoktone australiane, u ngjit në vendin e parë në botë në renditjen e femrave, pas fitores së turneut të Birmingamit. Tenistja 23-vjeçare mposhti gjermanen Julia Gërges 2-0 me sete, dhe do të zëvendësojë ish-numrin 1, amerikanen Naomi Osaka, duke nisur që nga dita e sotme.

Australia ka emër të shquar në këtë sport, por u deshën 43 vjet që një femër e saj të ngjitej në vend të parë. Për herë të fundit, këtë e kishte bërë Ivonë Gulagong Kouli në 1976. Nuk dihet sesa e gjatë dhe e suksesshme do të jetë karriera e saj, por Eshli shpreson të imitojë legjendën e tenisit australian të femrave, Margaret Kourt, që është rekordmene botërore me 24 tituj Grand Slem.

Sfidanti.al