“O italianë, mos bërtisni aq shumë për himnin se na shurdhuat”

U duhej fitorja me patjetër për të lënë pas disfatën e pësuar me polakët. Kjo ndoshta ishte arsyeja kryesore që futbollistët e rinj të Italisë ishin tepër të ngarkuar emocionalisht në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Belgjikës në grupin A, të finaleve të Europianit U21. Ndeshja luhej në stadiumin “Mapei” të Rexho Emilias, në prani të një publiku të shumtë italian, dhe kjo ishte një tjetër arsye që lojtarët vendas e kënduan me gjithë shpirt himnin e shtetit të tyre.

E kënduan kaq fort saqë shqetësuan edhe fëmijët që kishin dalë duke i shoqëruar në ceremoninë e fillimit. Në foto duket qartë njëri prej djemve të vegjël që ka zënë veshët me duar dhe po bërtet nga dhimbja për shkak të ulërimave të Kiezës, Kutrones e të tjerëvë. Një “ndotje akustike” e vërtetë, që po të kishte ndodhur në ndonjë vend tjetër publik, do të kishte merituar një gjobë “të shëndoshë”, por ja që ndodhi në stadium, aty ku quhet normale, edhe pse ka njerëz që shqetësohen, sidomos fëmijë. Italia U21 fitoi 3-1 ndaj Belgjikës U21, me gola të shënuar nga Barela, Kutrone dhe Kieza.

Sfidanti.al