Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, e ndryshoi, plotësisht, qëndrimin e tij ndaj mesfushorit gjerman, Bastian Shvainshtajger, që, deri kohët e fundit, nuk bënte pjesë në planet e “Specialit” dhe ishte njoftuar që të kërkonte një ekip të ri. Megjithatë, ky paralajmerim nuk ai pakësoi atij (Shvainshtajgerit) dëshirën për të qëndruar te Junajtidi dhe të tregonte se është në gjendje që të luajë me bluzën e “djajve të kuq”, duke fituar, siç duket, respektin e Murinjos që, tani, e ka ndryshuar plotësisht mendimin.
“Sigurisht që Shvainshtajgeri mund të qëndrojë. Kur një futbollist ka kontratë dhe ai është i vendosur që ta përmbushë atë, e ardhmja e tij është në duart e tij”, deklaroi, dje, Murinjo, duke shtuar se, gjatë verës, “ne u përpoqëm që të ndaheshim nga Bastiani, por ai u tregua kategorik dhe vendosi që të qëndronte, madje edhe në rrethana të vështira për të, por me punën këmbëngulëse që ka bërë, ai e meritoi që të luante në ndeshjen e fundit. Mua më pëlqejnë njerëzit që nuk dorëzohen. Ai është në gjendje që ta ndihmojë ekipin”, theksoi trajneri portugez i ManU-së.