Barça, përse kjo fshehtësi kaq e madhe për Grizmanin?!

U bë kohë që mes lojtarëve, menaxherëve, trajnerëve dhe drejtuesve të klubit po luhet loja e madhe e të bërit “gjoja”, një lojë për të justifikuar ato transferime të futbollit që mund të mos “gëlltiten” dot nga tifozët apo edhe nga lojtarë të skuadrave të caktuara. Një aktrim i tillë, ndoshta më i bukuri nga të gjithë është ai që po bëhet nga Antuan Grizman dhe Barcelona.

Kësaj loje ia “çorri maskën” këshilltari i deleguar i Atletikos, klubit ku Grizman luajti për 5 vjet, Migel Angel Gil Marin. “Që nga marsi e kam ditur klubin ku do të luajë Grizmani sezonin tjetër, – tha ai, – është Barcelona”. Konfirmim zyrtar nuk ka, ndonëse duket se gjithçka po bëhet për të “vënë në gjumë” tifozët katalanas, madje edhe disa lojtarë “blaugrana” që nuk e kishin aspak me qejf afrimin e një lojtari që vjet e refuzoi me bujë kalimin në “Kamp Nou”.

Gjithsesi, pritet që Barça të paguajë 120 milionë euro (jo 200, siç ëshë klauzola e transferimit), por do të duhet të largojë dikë “me peshë”. Filip Kutinjo është më i preferuar për të ikur, por varet sesa mund të përfitohet prej tij, pas një sezoni të dobët, ndërsa plani B është Usman Dembele, për të cilin ka kërkesa.

Sfidanti.al